TechCrunch shkruan për motorin shqiptar të kërkimit, Gjirafën

 

Uebsajti më i madh në botë kushtuar teknologjisë, TechCrunch, i ka kushtuar një artikull motorit shqiptar të kërkimit, Gjirafës, dhe investimeve që kjo kompani ka bërë në Shqipëri dhe Kosovë. Sipas këtij uebsajti, shqiptarët tashmë kanë një motor kërkimi të tyren ku mund të marrin informacione që nuk ekzistojnë në internet.

Mergim Cahani, bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i Gjirafës, së bashku me ekipin e tij po grumbullojnë një sërë informacionesh që ekzistojnë vetëm offline dhe po i kalojnë ato në internet. Qëllimi afatgjatë i Gjirafës është të digjitalizojë të gjithë vendin, duke krijuar një bazë të dhënash, ngjashëm me Yelp, për bizneset lokale dhe vendet, pjesa më e madhe e të cilave nuk ekzistojnë fare në internet.

Për ta ndihmuar në këtë mision, kompania Rockaway Capital me bazë në San Francisko dhe Pragë ka investuar tek Gjirafa 2 milionë dollarë, për ta bërë atë motorin më të madh të kërkimit, të shitblerjeve dhe reklamimit në Shqipëri dhe Kosovë.