Opera blihet nga një kompani kineze për 1.2 miliardë dollarë

Kompania norvegjeze që ka nën pronësi shfletuesin popullor, Opera, ka njoftuar së fundmi se ka pranuar një ofertë blerjeje prej 1.2 miliardë dollarësh nga firma kineze Golden Brick Silk Road. Kjo firmë ka partneritet me disa kompani të tjera kineze, si Beijing Kunlun Tech, e cila është e specializuar në lojërat mobile, dhe Qihoo 360, e cila është e specializuar në sigurinë kibernetike.

Shitja e shfletuesit Opera ishte paralajmëruar nga kompania që në muajin gusht të vitit të kaluar, ku në një deklaratë të dhënë për mediat kompania norvegjeze njoftoi se po vlerësonte partnerë dhe alternativa të mundshme strategjike.

Shfletuesit Opera ndihmojnë përdoruesit e pajisjeve mobile, tabletit dhe kompjuterit që të shfletojnë në internet më shpejtë duke harxhuar më pak MB. Krijuesi softuerik ka më shumë se 350 milionë përdorues aktivë mujor. Shfletuesit e tij janë instaluar në pajisje të ndryshme të krijuara nga kompani si Samsung apo Xiaomi. Shfletuesi Opera Mini zotëron 7.3% të tregut të pajisjeve mobile, duke u renditur pas Chrome-it, i cili zotëron 42% të tregut, Safari-t me 34% të tregut dhe shfletuesit Android me 11.1% të tregut.