Franca kërcënon Facebook ?

 

Autoritet franceze që merren me mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve i kanë dhënë Facebook, tre muaj afat që të ndalojë monitorimin e përdoruesve të internetit, të cilët nuk janë pjesëtarë në rrjetin social, ose përndryshe do të gjobitet.

Në një vendim të publikuar më 26 janar, “Komisioni Kombëtar i Informatikës dhe Lirisë” shkruan se kompania monitoron aktivitetin e shfletimit në ueb të përdoruesve pasi vizitojnë sajte të ndryshme, edhe nëse nuk kanë llogari në Facebook. Sipas këtij komisioni, rrjeti social ruan të dhënat e përdoruesve, si orientimin e tyre seksual, besimin fetar dhe pamjet politike, pa miratimin e tyre, si dhe shkel të drejtën e privatësisë së këtyre përdoruesve duke ua dhënë këto informacione kompanive të tjera të reklamimit.

Facebook mori të njëjtin kërcënim vitin e kaluar nga Belgjika, ku një gjykatë belge i kërkoi kompanisë të ndalojë me monitorimin e përdoruesve që nuk kanë llogari në rrjetin social, përndryshe do të gjobitej me 250 mijë euro për çdo ditë që shkel urdhrin.