Firefox vjen në pajisjet iOS

Mozilla ka thyer tabunë duke realizuar versionin e shumëpritur të shfletuesit të saj popullor Firefox për pajisjet e Apple. Përdoruesit e iPhone-ve dhe iPad-ve do të kenë tani mundësi të përdorin shfletuesin Firefox tek pajisjet e tyre. Shfletuesi mund të instalohet nga App Store.

Për shkak të kufizimeve të imponuara nga Apple, Firefox për pajisjet iOS nuk do të ketë motorin kryesor Gecko që fuqizon Firefox, por motorin Safari të Apple-it dhe motorin e saj WebKit.

Pavarësisht kufizimeve, përdoruesit mund të përfitojnë nga veçoritë e shumta që ofron shfletuesi Firefox, si skedat vizuale; mundësia për të importuar të dhënat e ruajtura, historikun dhe fjalëkalimet nga pajisje të tjera me shfletuesin Firefox; parashikimi i kërkimit me mbështetjen për motorë të ndryshëm kërkimi etj.