Gmail azhornohet, shton opsionin “undo send”

Ju ka ndodhur ndonjëherë që sapo keni shypur butonin dërgo mesazhin tek adresa elektronike, jeni kujtuar se nuk keni bashkangjitur një dokument shumë të rëndësishëm? Apo më e keqja, i keni dërguar foto që keni bërë për pushime shefit tuaj?

Google ka një zgjidhje për këtë problem, me veçorinë e saj “undo send”. Disa prej jush mund të keni dëgjuar për veçorinë “undo send”, pasi ka qenë pjesë e Google Labs për shumë vite. Kjo veçori do të vijë së shpejti edhe për përdoruesit e Gmail, dhe mund të përdoret nëpërmjet shfletuesit.

Veçorinë “undo send” mund ta aktivizoni tek konfigurimet. Kjo veçori ju jep mundësi që të “mos dërgoni” një mesazh elektronik. Për të qenë më të saktë, veçoria nuk rikthen mesazhin nga kutia e mesazheve të personit që e keni dërguar, ajo thjesht shtyn kohën që duhet për t’u dërguar një mesazh. Gjatë kësaj kohe, ju duhet të vendosni nëse doni të ktheheni sërish tek mesazhi ose ta fshini atë krejtësisht, por, pasi të kenë kaluar 30 sekonda, mesazhi elektronik do të dërgohet menjëherë tek marrësi.

Veçoria është në dispozicion vetëm nëse përdorni shërbimin për mesazhe Gmail nga një shfletues uebi. Përveç aplikacionit Inbox të Google, veçoria “undo send” do të jetë në dispozicion së shpejti edhe tek aplikacione të tjera.