Zbulohen versionet e ardhshme të Windows 10

Microsoft ka zbuluar pak ditë më parë emërtimet e versioneve të sistemit të ardhshëm operativ Windows 10. Ndër to, është zbuluar edhe emërtimi i versionit Windows 10 për smartphone. Ky version do të emërtohet “Windows 10 Mobile” dhe do të përdoret si për smartphone, ashtu edhe për tabletët me ekrane të vegjël.

Sa i përket kompjuterave, do të krijohen disa versione të Windows 10. Kështu, Windows 10 Home do të jetë për konsumatorët e përgjithshëm, siç mund t’a kuptoni edhe nga emri, ndërsa Windows 10 Pro do të jetë për bizneset e vogla. Për bizneset e mëdha, Microsoft do të ofrojë versionin Windows 10 Enterprise dhe Windows 10 Mobile Enterprise.

Microsoft do të ofrojë edhe versionin Windows 10 Education, i cili do të bazohet tek Windows 10 Enterprise, por që do të krijohet vetëm për shkollat. Windows 10 do të shpërndahet këtë verë në 190 shtete dhe 111 gjuhë të ndryshme. Siç është njoftuar edhe më parë, Windows 10 Home, Windows 10 Pro dhe Windows 10 Mobile do të jenë falas për pajisjet që operojnë me Windows 7, Windows 8.1 dhe Windows Phone 8.1, gjithmonë nëse përditësohen brënda vitit të parë.