Windows 10 do të vijë në verë, falas edhe për piratët

Microsoft ka njoftuar më në fund datën e lëshimit të Windows 10: nëse më parë është pritur për në gjysmën e parë të 2015, kompania ka sqaruar me konferencën WinHEC në Kinë se lëshimi do të jetë në verë, në 190 vende dhe 111 gjuhë.

Por kjo nuk është e gjitha: siç ne të gjithë e dimë përditësimi do të jetë falas, brenda vitit të parë, për Windows 7 dhe Windows 8 – një mënyrë për të nxitur OEM dhe kompanitë drejt risive – por gjithashtu do të jetë falas edhe për kopjet pirate, siç tha Terry Myerson, edhe pse është e paqartë nëse kjo do të ndodhë vetëm në Kinë – ku gati 75% e PC janë me Windows të piratuar – apo edhe në pjesën tjetër të botës.

Windows 10 do të kërkojë të njëjtën fuqi kalkulimi të Windows 8, do të zërë pak hapësirë ​​dhe do të mbështesë DirectX 12. Për më tepër, Microsoft ka njoftuar tashmë se do të ketë gjithashtu një version IoT të sistemit operativ për Raspberry Pi 2 B dhe për mikro-kontrolluesit e tjerë, si ato të Intel.

Microsoft gjithashtu zbuloi sistemin e ri të sigurisë Microsoft Hello, i cili do të përdorë të dhëna biometrike, iris, gjurmë gishtash apo fytyrën e përdoruesit për të siguruar akses në Windows. Pajisjet e pajtueshme janë të ndryshme nga ato të përdorura deri tani, veçanërisht për skanimin e irisit kërkohet sensorë infra të kuqe, për të cilat së shpejti do të dalin mjete të reja dhe Lenovo është një nga kompanitë që menjëherë do të sjelli ato në PC e tij.